53 futbollistë të grumbulluar nga Reja në kombëtare, nentë prej tyre nuk e kanë parë fushën

Shqipëria e Rejës është një skuadër e gjerë, me shumë elementë, edhe pse në çdo moment do të ekzistojë diskutimi për lojtarët e lënë jashtë që për shumëkënd mund të meritonin që të ishin pjesë e ekipit. Në bazë të një vëzhgimi nga “Panorama Sport”, regjistrohen 53 futbollistë që janë grumbulluar nga trajneri i Kombëtares. Pa përfshirë Nedim Bajramin, i cili sa u përket dokumenteve është ende një lojtar në dispozicion të përfaqësueses helvete (pasi FIFA nuk i dha lejekalimin për të ndryshuar kombëtare), ndër të grumbulluarit e Rejës, nëntë futbollistë nuk kanë zbritur asnjëherë në fushë nën drejtimin e 75-vjeçarit.

AKTIVIZIME

Berat Gjimshiti, Rei Manaj dhe Frederik Veseli janë tre lojtarët më të aktivizuar me trajnerin Edi Reja në krye të Kombëtares. Kjo treshe, me nga 17 takime që kanë zbritur në fushën e lojës, janë futbollistët që kanë marrë më së shumti besimin e trajnerit Italian. Më tej, Cikalleshi, Ismajli dhe Bare ndjekin me nga 14 aktivizime me Shqipërinë e Rejës. Në bazë edhe të këtyre aktivizimeve, Berat Gjimshiti është edhe “maratonomaku” i minutave. 1506 minuta ka qenë në fushë me kuqezinjtë qendërmbrojtësi i Atalantës, ndjekur nga Veseli (1353′) dhe Manaj (1262′).

GOLEADORI

Bomberi i Rejës është Sokol Cikalleshi. Me nëntë gola në 20 ndeshje që trajneri 75-vjeçar numëron në krye të kuqezinjve, bomberi kavajas ka arritur që të udhëheqë Shqipërinë në rezultatet e deritanishme. Ndër të tjera, sulmuesi ka dhënë edhe një asist. Më tej, pesë gola mbajnë autorësinë e Rei Manajt, i cili ka shtuar në paraqitjet e tij edhe dy asiste. Myrto Uzuni, Bare dhe Balaj ndjekin me nga dy gola, me beratasin që në specifikën e aktivizimeve, numëron edhe 3 asiste me fanellën kuqezi.

MUNGESAT

Çdo herë do të ekzistojë diskutimi se cilët lojtarë mund të ishin në grumbullim dhe që trajneri nuk i ka ftuar. Eduard Rroca është një prej tyre, pasi vjen nga një sezon fantastik në Turqi, me gola dhe asiste javë pas jave. Jo vetëm ai, por për mesfushën, trajneri mund të kishte ftuar edhe Fation Andonin. Futbollisti i Apollon Smirnit ka qenë më i aktivizuari këtë sezon, ndaj edhe një ftesë për të mund të vlente për ta testuar në miqësore, sidomos kur mesfusha ka nevojë për elemente që mund të bëjnë ndërtim loje. Të tjerë, qoftë edhe nga kampionati shqiptar, janë Dejvi Bregu, Jasir Asani, Lorenco Vila, Idriz Batha, Erdenis Gurishta apo edhe portieri Stivi Frashëri.