Asnjë afrim tek Apolonia, një mbrojtës dhe një mesfushor nga Greqia vijnë në provë

Asnjë afrim, vetëm pritje dhe afate që shtyhen për ardhjen e lojtarëve të rinj, të pronotuar si përforcim dimëror nga Apolonia. Ka një “nesër” të pafundme në këtë klub, një “nesër” që asnjëherë nuk është bërë “sot” në lidhje me përforcimet, madje edhe “fiasco” me disa futbollistë të deklaruar si të sigurt nga vetë klubi gjatë kësaj merkatoje. Kamarata këmbëngul për një lojtar shkatërrues. Fillimisht u testua në këtë pozicion braziliani Oliveira, por që nuk bindi.

Pas tij, për këtë rol, pati tratativa me një venezuelian, por edhe për të fierakët kanë thënë “jo”, teksa së fundi është konsumuar negativisht edhe pista për një maqedonas “6”, siç e kanë prezantuar menaxherët e lojtarit, por që në fakt pozicioni i tij natyral është “8”, ndaj dhe Apolonia i ka ndërprerë kontaktet me futbollistin në fjalë. Duke parë numrin e lartë të golave të pësuar, trajneri Kamarata ka kërkuar përforcime edhe në qendër të mbrojtjes dhe në krahun e majtë.
Kristian

Para disa ditësh, klubi fierak bëri me dije se u arrit akordi me mbrojtësin e majtë brazilian Kristian Mateus Lima da Silva, por duket se kryepankina fierake ka ndërruar mendje, duke mos parë ndonjë cilësi të veçantë te 22-vjeçarit, i cili ka marrë rrugën drejt Turbinës së Cërrikut. Sa i përket qendërmbrojtësit maqedonas Dime Dimov, klubi fierak e ka pritur dita-ditës, teksa deklarojnë se është zgjidhur edhe çështja e dokumentacionit me Akademinë Pandev, ekipin e Dimov, por nga Apolonia deklarohet se nuk e presin më larg se kësaj të marte lojtarin maqedonas.

TESTIMET – Ndërkohë, nesër (sot) pritet që të vihen në provë dy lojtarë grekë. Ata do të kalojnë në “sitën” e testimit të trajnerit Kamarata, i cili është “sqimatar” në përzgjedhje dhe i qëndron besnik vendimit të tij për të marrë në skuadër lojtarë që bëjnë diferencën dhe jo thjesht për organikë. Dy helenët janë lojtarë me përvojë, por që janë aktivizuar në nivele inferiore të kampionatit grek, të dy me zanafillë aktivizimi tek U-20 e AEKut të Athinës.

PANAJOTIS AKIMASTOS – Ka lindur më 19 maj 1991, me gjatësi 175 cm. Agjentët e kanë sugjeruar tek Apolonia si mbrojtës të majtë, por pozicioni i tij natyral është mbrojtës i djathtë. E ka nisur me AEK U-20, për të vijuar më tej në kampionatin grek me ekipet: Panegalios, Tily Kratis, Fostiras, AO Kalkis, Pierikos, GAS Ialios, Parask dhe Argiradou. Ka pasur një eksperiencë edhe në Çeki, me skuadrën Caslav, ndërsa këtë sezon ka qenë pjesë e ekipit grek Mikonou.

ALEKSANDROS ABDEL RAHIM – I datëlindjes 23 shkurt 1993, me gjatësi 178 cm. Menaxherët e kanë sugjeruar në rolin e shkatërruesit, por greku me origjinë arabe pozicionin e tij natyral e ka mesfushor qendre dhe në krahun e djathtë. Rahim është aktivizuar me Olimpiakos Lavriou, Akarnaikos, Panelefsiniakos, Sparta, Kallamata, Panarkadikos, Panargiakos, Aleksiandrias, Pelopas Kiatou, Egaleo, Rodos, Vlakioti dhe këtë sezon ka qenë pjesë e skuadrës Kifisias, me të cilën është aktivizuar edhe në 2014- 2015. Kujtojmë se Rahim ka pasur një tjetër eksperiencë të shkurtër në kampionatin shqiptar. Ai ka qenë pjesë e Kastriotit në sezonin 2018-2019 në Superligë, ku është aktivizuar vetëm 251′ në 3 ndeshje.
Burimi: PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published.