Broja duhet ta dëgjojë, trajneri i njohur i jep këshillën e sinqertë sulmuesit 20-vjeçar

Egnatia e Gugash Maganit po bën një fazë të mirë mjaft pozitive në “Abissnet Superiore”. Skuadra nga Rrogozhina po rezulton një ekip i vështirë për këdo në kampionat dhe duket se investimet në klub po japin efektin e duhur. Por pavarësisht kësaj, trajneri qendron me këmbë në tokë dhe objektiv fillestar vendos mbijetesën, megjithëse nëse gjërat marrin rrjedhën e duhur mund të synohet edhe Europa.

Në një intervistë për “Zona Zero” në “Top Channel” Magani ka folur edhe për ekipin kombëtar, ku vlerëson punën e bërë deri më tan inga tekniku Reja. Më tej kreu i pankinës së Egnatias prek edhe çështjen e Armadon Brojës, duke hedhur mendimin se talentit shqiptar është koha ti japim më shumë fanellën dhe ti kërkojmë më tepër përgjegjësi në fushën e lojës.

“Është akoma herët. Unë jam sa modest por edhe me këmbë në tokë. Objektivi i parë është që të qendrojmë te 10 më të mirët, pastaj oreksi vjen duke ngrënë. Unë do isha i kënaqur vetë, por edhe presidenti që është shumë korrekt. Pastaj pse jo të mos jemi dhe në Europë. Vetëm në 1 vit është bërë një punë kolosale në Rrogozhinë, si me stadiumin, ashtu edhe me fushën e stërvitjes, por edhe me infrastrukturën në përgjithësi. Janë njerëz që e duan futbollin. Nuk ka trysni e presion. Janë të qytetëruar dhe kanë respekt për ne që drejtojmë. Ndihem mirë.

Kombëtarja? Unë jam i kënaqur me rezultatet e ekipit kombëtar, edhe pse kolegët e mi kanë pasur kritika për trajnerin e ekipit kombëtar. Unë mendoj që është duke e bërë mirë punën e vetë dhe duhet ta lëmë të qetë të bëjë mirë punën e vetë. Me Anglinë edhe një barazim do të ishte një rezultat shumë i mirë, ndërsa me Andorrën fitorja është një detyrë shtëpie.

Broja? Është fat për ekipin tonë kombëtar një talent si Broja. Shumë pak djem të rinj shqiptarë kanë pasur shansin të luajnë në elitën e futbollit europian. Ai luan në një kampionat jashtëzakonisht të fortë. Broja është djalë i ri dhe ne duhet ti kuptojmë pak ato kapriçot e djemve të rinj. Adoleshenca ne shqiptarëve në futboll kalon pas moshës 22-23 vjeç. Kështu e kam mendimin, sepse kam shumë eksperiencë duke drejtuar skuadrat.

Mendoj se duhet ti japim kohë atij djali por nga ana tjetër duhet ti bëjmë edhe kritikat. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, por duhet të luajë më shumë për skuadrën. Unë e kam më shumë si këshillë këtë. Unë nuk e kuptoj futbollin për presion, por të jetë pozitiv, jo mediatik. Mund të jetë një këshillë modeste, ti japim fanellën dhe ti kërkojmë përgjegjësi më shumë. Të luajë më shumë për skuadrën se është lojtar i jashtëzakonshëm“, ka thënë Gugash Magani.