Doka bën gjestin e çuditshëm ndaj Cikalleshit, Bare kapet me Roshin/ Momentet pikante në kombëtare

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit ka mbyllur me seancën e sotme stërvitore përgatitjet për ndeshjen ndaj Anglisë, para udhëtimit drejt Britanisë së Madhe gjatë ditës së premte.

Kuqezinjtë janë vënë nën urdhrat e trajnerit Reja i cili po i jep dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e të premtes në ”Uembli”.

Kuqezinjtë duken në humor para kësaj sfide, edhe pse ajo është e një shkalle vështirësie shumë të lartë. Kjo shfaqej qartësisht në videon e publikuar nga FSHF, ku shiheshin lojtarët që nuk kursenin batutat me njëri-tjetrin edhe mes ushtrimeve të nxemjes.

Që në fillim shfaqej Doka teksa pastronte këpucët e Cikalleshit, nga i cili priten golat kuqezi, ndërsa bare sinjalizonte kameramanin që të filmonte Roshin dhe përgatitjet e tij të veçanta.

Gjithçka duket se po shkon mirë dhe për momentin nuk ka njoftime për dëmtime të lojtarëve me përjashtim të atij të Brojës i cili do të mungojë kundër “tre luanëve”.