Edhe Egbo me patronazhist, ja kush e mbikqyr ish-trajnerin e Tiranës

Emanuel Egbo, ish-portieri dhe trajneri i Tiranës, zakonisht është mësuar të luajë apo të jetë protagonist i fushës së blertë. Por, nigeriani që jeton prej dy dekadash në Shqipëri, i cili ka përfituar edhe shtetësinë shqiptare, nuk i ka shpëtuar lojës më të re dhe “trendy” aktualisht në vendin tonë, asaj të patronazhit.

Nga lista e të dhënave që janë bërë publike prej ditësh, mësohet se edhe ish-portieri dhe trajneri nigerian i Tiranës, Ndubuisi Emanuel Egbo, ka një patronazhist te PS-ja që e survejon në përditshmërinë e tij. Nga baza e të dhënave që janë bërë publike del se patronazhisti i Egbosë është Alban Arapi, një emër që në pamje të parë nuk lë të kuptosh për ndonjë lidhje me sportin apo klubin e futbollit Tirana, që është edhe emri i punëdhënësit.

Nga publikimi i të dhënave del se patronazhisti i Egbosë nuk ka qenë në lartësinë e duhur, pasi nuk ka asnjë informacion në lidhje me preferencën e “gardianit” nigerian sa u përket partive politike në Shqipëri.

Te kolona që përkon me sigurinë e hedhjes së votës për PS-në, del se ish-trajneri i Tiranës nuk është i sigurt si votues i këtij subjekti politik, por vijon të mos ketë të informacion sa u përket preferencave të tij.