Edhe Idriz Batha largohet nga Tirana

Idriz Batha me sa duket e ka mbyllur me Tiranën. Ose kështu bëjnë me dije burime në klub. Nga sa është marrë vesh, lojtari e ka mbyllur në Rumani me skuadrën UTA Arad, ndonëse nuk është zyrtarizuar ende marrëveshja mes palëve dhe pritet që këto ditë të bëhet ndarja me bardheblutë. Lojtari dhe kapiteni i bardhebluve ka kohë që flitet se do të firmosë në Rumani, por nuk ka asgjë zyrtare.

Mesfushori bardheblu po negocion me skuadrën e UTA Arad, e cila militon në elitën e futbollit rumun. Në fakt, te bardheblutë deri të dielën ishin të bindur se Batha do të qëndronte te Tirana, por nga ana tjetër tani çështja ka ndryshuar. Tirana po e bën merkaton pa përfshirë në planet e skuadrës Idriz Bathën. Madje, prej dy ditësh po kërkojnë zëvendësues për pozicionin e mesfushorit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga burime bardheblu.

Pra, është çështje orësh ndarja zyrtare mes Tiranës dhe Bathës. Mesfushori luajti dy sezone me Tiranën duke luajtur mbi 6000 minuta dhe shënuar 19 gola në Superiore dhe një në Kupën e Shqipërisë. UTA Arad e mbylli kampionatin në Rumani në vendin e 8-të dhe drejtuesit tashmë duan të krijojnë një skuadër kompetitive për sezonin tjetër.

Për këtë arsye kanë nisur negociatat me Bathën dhe në rast se arrihet marrëveshja, pritet të firmosë shumë shpejt. Po kështu, lojtari kërkohet në Superiore nga disa skuadra. Gjithsesi, nuk është çudi që ai të mos zgjedhë asnjë prej ofertave dhe të qëndrojnë me Tiranën.