Fjalë të mrekullueshme për Elseid Hysajn nga Italia

Elseid Hysaj është me të vërtetë i çuditshëm dhe rast për t’u studiuar në Itali. Në fillimin e këtij sezoni teksa kishte ende shpresa për rinovimin e kontratës me Napolin, paraqitjet e tij ishin të dobëta në fushën e lojës.

Por sapo është marrë vendimi për largimin dhe kur pritej që trajneri Gatuzo mos ta aktivizionte më, pasi llogjikisht impenjimi i futbollistit duhet të binte, ka ndodhur e kundërta. Hysaj ka ardhur në ngritje të madhe me performancat në ndeshjet delikate, aq sa shumë tifozë po kërkojnë që shkodrani të qëndrojë.

Media italiane “Corriere del Mezzogiorno” është ndalur te Hysaj duke shkruar: “Hysaj po e mbyll kontratën pa dialog për rinovimin, por po shpreh prova të profesionalizmit të madh. Gatuzo ka hedhur bast për të në krahun e majtë në dy ndeshje radhazi dhe Hysaj nuk e ka tradhtuar besimin e tij. Fjalë kyce në leksikun e Napolit teksa është rritur në personalitet dhe pjekuri”.

Nga ana tjetër, eksperti i tregut të transferimeve në Itali, Pedulla, është shprehur se për Hysajn janë vetëm tre mundësi në Itali. E para është mbërritja te Milani, e dyta është Roma nëse do të zyrtarizohet Sarri në pankinë dhe Fiorentina që ka dalë së fundmi në skenë. Megjithatë kjo e fundit nuk ka shumë kreditë pasi nuk konkurron në asnjë kompeticion europian.