Humbën ndaj Teutës, Ilir Daja merr vendimin e papritur te Partizani

Partizani e nisi sezonin e ri në Superiore me humbje në “Elbasan Arena” kundër Teutës. Blutë e Edi Martinit triumfuan me rezultatin e ngushtë 1-0, falë një goli të sulmuesit Gjeorgiev.

Kjo humbje ka bërë që stafi teknik i Partizanit të marrë masa. Nga dita e sotme, skuadra do të kryejë dy seanca stërvitore në ditë, një paradite e një pasdite. Kujtojmë se Partizani ka zhvilluar dy faza përgatitore gjatë tre muajve të verës, fillimisht para ndeshjeve të Ligës së Konferencës në Ohër, e më pas në Pogradec, për një përudhë dyjavore, ku kryen edhe disa ndeshje miqësore.

Skuadra e kuqe nuk kishte justifikime për të mos qenë gati për sfidën e parë të sezonit, përveç afrimeve të reja, kështu që stafi ka vendosur të marrë masa dhe të shtojë dozat e stërvitjes, në mënyrë që kundër Skënderbeut të jenë sa më të gatshëm dhe të shmangin ndonjë humbje tjetër të mundshme.