Ilir Daja tregohet i sinqertë: Ja pse nuk e dhashë dorëheqjen nga Partizani

Ilir Daja pas fitores së parë në kampionat me Partizanin, që të dielën mposhti 2-0 Kastriotin, për “Panorama Sport” ka pohuar se kurrë në karrierën e tij si trajner nuk ka përjetuar një situatë të ngjashme si tani me “demat” në start. Timonieri i të kuqve jep arsyet e krizës, sqaron zërat në lidhje me mungesën e harmonisë, si dhe betimin që kanë bërë të gjithë bashkë për ta kaluar situatën. Në analizën e tij Daja tregon pse vjet ekipi ishte më rezultativ, si dhe zbardh punën e bërë gjatë merkatos së verës dhe shkaqet pse u larguan shumë ish-kampionë. Trajneri, i pyetur se a ka qenë i lëkundur gjatë kësaj periudhe, u përgjigj duke dhënë dy anët e peshores, nga dorëheqja e parevokueshme te moslënia vetëm e lojtarëve. Ai pohoi se me ndryshimin e ndodhur në verë, klubi mori kosto, por shpreson që këtë vit të realizojnë synimet dhe të hedhin një hap për vazhdimësinë e klubit, që të mos bëjnë ekip nga e para çdo vit, pasi kanë afruar të rinj të perspektivës.

Gjatë karrierës si trajner, keni pasur situatë të tillë si aktualja me Partizanin, ku në 7 javët e para nuk kishit marrë asnjë fitore? Jo, nuk kam pasur asnjë situatë të tillë. Besoj se edhe këtë gjë e kemi trajtuar gjatë gjithë javës me lojtarët. Mendoj se nuk kemi problem mes grupit tonë, duke filluar që nga drejtuesit, lojtarët dhe stafi. Ne si staf u jemi drejtuar lojtarëve që këtë krizë rezultatesh e kemi bërë të gjithë bashkë. Nuk do të gjenim se kush e ka më shumë apo më pak fajin. Futbolli është lojë kolektive dhe shpirti i skuadrës dhe ajo pjesë e sakrificës që u pa në ndeshjen me Kastriotin, është elementi kryesor. Kemi dalë në një përfundim të përbashkët, që të gjithë bashkë duhet ta rikthejmë këtë krizë rezultatesh. Unë vazhdoj t’i mbetem asaj që kam thënë gjithë kohës, se nuk na ka dominuar asnjë ekip, kemi zhvilluar lojëra të mira, por pikët na kanë munguar. Për ta mbyllur këtë pyetje, është hera e parë që gjendem në një ekip që ka objektiva madhorë dhe me pritshmëri maksimale, siç është Partizani, dhe ndodhemi në këtë situatë. Por, të mos harrojmë edhe faktin që para takimit me Kastriotin u kemi thënë lojtarëve që distanca me vendin e katërt ka qenë vetëm 4 pikë dhe duhet t’i mendojmë hapat me radhë për të arritur pastaj drejt atyre objektivave që ka klubi.

Vjet merkatoja e Partizanit ishte e bllokuar ndërsa këtë sezon prurjet ishin voluminoze në verë. Por, rezultatet kanë qenë më të mira në edicionin e fundit sesa tani… Deri në këtë javë që po flasim, kur janë luajtur 8 ndeshje, sigurisht që e kemi pasur merkaton të hapur, por mos harroni se pas ndeshjes me Kastriotin data ishte 7 nëntor, ndërsa vjet kampionati ka nisur me 4 nëntor. Pra, kemi pasur një kohë më të madhe në dispozicion për të zbatuar ato ide që ka stafi për t’i përcjellë në ndeshje. Këtë vit kanë ardhur shumë lojtarë, ku pjesa dërrmuese, rreth 13 vetë që stërviten me ekipin e parë, janë nën 21 vjeç. Në një situatë të rënduar psikologjike për shkak të mungesës së pikëve dhe me 5 titullarë nën 21 vjeç, plus lojtarët e dëmtuar, si Lukas Kardozo apo ata që vijnë nga dëmtimet si Cara që ka sakrifikuar dhe është futur me stërvitje të diferencuar apo Kaçe që ndaj Kastriotit është ndeshja e parë pas problemeve shëndetësore, i bie të themi që ne e kemi sërish merkaton “të bllokuar”. Them të bllokuar në thonjëza, pasi me gjendjen fizike të këtyre emrave që përmenda, kemi një numër të limituar në sasi lojtarësh për të përballuar këtë kampionat.

Mos ka ndikuar në ecurinë aktuale reduktimi i lojtarëve kampionë, ku një pjesë e mirë e ish-fituesve u larguan në merkaton e verës? Nëse do të bëjmë një krahasim me Partizanin e sezonit të shkuar, të gjithëve u është afruar mundësia për të rinovuar kontratën me klubin. Ka qenë zgjedhja e tyre sepse besoj se kanë gjetur kushte shumë më të mira financiare sesa mundet të përballojë produkti i futbollit shqiptar. Ata nuk shkuan në ekipe paralele, por u transferuan jashtë Shqipërisë. Duke u gjendur përballë këtij fakti që ata ishin me kontrata në skadencë, ne kemi zgjatur edhe aftin e kontratave me lojtarët e afruar, në mënyrë që të mos ndërtojmë vit pas viti ekipin nga e para. Kjo na bëri që të kemi këtë lloj kostoje. Është një proces që ka filluar ku Partizani ka disa lojtarë të rinj që mbështeten te futbollistët me eksperiencë duke filluar nga portieri Hoxha, Belica apo Zhunior. Përveç Albion Markut, të gjithë lojtarët e rinj janë me kontrata afatgjata, që do të thotë se Partizani po mendon që në këtë proces të jetë kompetitiv, pavarësisht rezultateve të munguara, si dhe të ketë një të ardhme që pas një periudhe kohe të ketë një kontingjent të gatshëm për të bërë të mundur që ekipi të ketë vazhdimësi.

Meqë e kaluat furtunën e parë, ku e shikoni ekipin deri në merkaton e janarit ku mund të keni mundësi përforcimesh? Nëse do të bëjmë një krahasim me kampionatin e vjetshëm, në fazën e parë grumbulluam 13 pikë. Nëse do të shkojmë drejt fitores në ndeshjen e radhës me Laçin, ndonëse e dimë se është një sfidë shumë e vështirë, i bie që të kemi dy pikë më pak se vjet në fazën e parë. Besoj se rikthimi i lojtarëve që kanë pasur probleme dëmtimesh, jo vetëm që do të rrisin rivalitetin, por nuk do të shtyjnë edhe minutazhin e lojtarëve në fushë. Pra, me kthimin e tyre nuk do t’i bëjmë zëvendësimet e vonshme, siç ankohen shumë specialistë. Këto, plus qetësia e fitores së parë besoj se jep garanci që deri në janar mund të bëjmë goxha mirë. Edhe këtë periudhë që kemi pasur mungesë rezultatesh, gjithçka e kemi ngritur brenda lojës e kemi zhbërë nga disa gabime individuale, por që janë prezentë në futboll.

A e keni parë veten ndonjëherë të lëkundur gjatë kësaj periudhe? Janë të dyja anë të peshores. Njëra anë që mund të jepja dorëheqjen e parevokueshme, por ana tjetër ishte ajo që thosha se cila është arsyeja dhe nuk doja që grupin e lojtarëve ta lija që të luftonte vetëm. Kjo ishte pjesa e luftës që të gjithë bashkë kërkuam ta ndryshonim. Shpresoj ta vazhdojmë këtë lloj ndryshimi që u bë me marrjen e trepikëshit ndaj Kastriotit.

A ju ka mbetur peng që në merkaton e verës nuk arritët të merrnit një sulmues tipik? Nëse do të flasim për repartin ofensiv, do të thosha që Lukas Kardozo është një lojtar goxha i mirë për sulmin tonë. Rritja e gjendjes fizike të Kaçes, pasi është një lojtar që i jep një tjetër mënyrë dhe frymëmarrje sulmit me pasimet që shpërndanë. Plus, me rikthimin e Carës në gjendjen optimale, pasi ka një muaj që rreth 70% të stërvitjeve i ka të diferencuara. Me rikthimin e Maguet, që është një lojtar me shumë perspektivë dhe shumë i talentuar si dhe lojtarët e rinj që kemi afruar, besoj se do të bëjmë mirë me kontingjentin që kemi. Pastaj në janar do të shikojmë se çfarë mund të bëjmë për të plotësuar akoma më shumë. Kemi lojtarë që sakrifikojnë shumë, si Zhunior, pika jonë referuese në sulm. Ai nuk ka shkuar shumë te goli sepse ka sakrifikuar jashtë mase për pjesën tjetër të ekipit.