Jo vetëm Taipi/ Dy lojtarë të tjerë drejt largimit nga Skënderbeu

Me laps dhe letër në dorë edhe pse asgjë nuk ka filluar zyrtarisht Skënderbeu është në barazim 1-1 për sa i përket hapësirës së merkatos. Korçarët kanë mundur të afrojnë pak ditë më parë në ekip një mesfushor brazilian. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin, Murilo Augusto Lino Rosa, i cili mund të quhet zyrtarisht goditja e Skënderbeut për sezonin e ri.

Me largimin e Taipit pritet që Rosa të mbulojë pjesën e lënë bosh nga shqiptaro-maqedonasi por mbetet për t’u parë cilësia e futbollistit. Murilo Rosa është një numër 8 tipik, që ka shkëlqyer me skuadra si Sanjoanense, Lusitano FCV dhe Benfika Castelo në ligat e ulëta portugeze. Mesfushori është studiuar mirë nga drejtuesit korçarë përpara se klubi të futej në bisedime me agjentin e brazilianit, por tashmë mbetet që Memelli të vlerësojë lojtarin.

Nga ana tjetër janë ende dy futbollistë të tjerë që presin të njohin fatin e tyre. Bëhet fjalë për Marën dhe Zguron. Të dy lojtarët janë pa kontratë të vlefshme me Skënderbeun dhe për të dy klube të tjera kanë shfaqur interes për t’i pasur në ekip.

Për Marën duket se Dinamo është në vendin e parë të pritjes, ndërsa Zguro sipas zërave të fundit ka pasur interesime nga klube të ndryshme në Turqi dhe SHBA. Tashmë u takon drejtuesve që të vendosin për të ardhmen e lojtarëve pa u marrë vendimi i njëjtë me atë që bëri Taipi vetëm një ditë më parë.