Koeman vazhdon t’i besojë, Rei Manaj luan sërish me Barcelonën e madhe

Rei Manaj ka gjetur edhe sot hapësira me ekipin e parë të Barcelonës, duke luajtur në miqësoren e katalanasve kundër RB Salcburg. Përballë austriakëve, trajneri Ronald Kuman ka vendosur t’i besojë disa minuta në fundin e sfidës sulmuesit shqiptar, pikërisht pak çaste pasi skuadra e tij gjeti barazimin me Breithuejt në një mënyrë të çuditshme.

Barcelona zhvilloi një ndeshje të dobët, me vetëm Depaj që dukej në lartësinë e duhur në këtë sfidë, duke sulmuar vazhdimisht në kërkim të avantazhit. Por Suçiç ishte ai që gjeti golin nga ana tjetër, pasi me një predhë të pakapshme për Neto dërgoi sferën në rrjetë në fundin e pjesës së parë. Kuman nisi të bënte zëvendësime në pjesën e dytë, duke larguar titullarët me radhë, por momenti i Manajt erdhi vetëm në minutën e 85-të, sapo Breithuejt barazoi shifrat pa dashje. Një gjuajtje e Dost u devijua nga një mbrojtës e më pas nga sulmuesi, me sferën që përfundoi në rrjetë në mënyrë aksidentale.

Manaj hyri menjëherë në fushë për të shtuar forcat në repartin e avancuar, por Barcelona shfaqi pak rrezik në minutat e fundit ku atij iu desh më shumë të kthehej mbrapa pasi vendasit sulmuan vazhdimisht. Ata gjetën golin në fund me Aronson për të fituar sfidën me rezultatin 2-1 dhe shënuar kështu humbjen e parë të Barcelonës në fazën përgatitore.