Kriza te Dinamo, presidenti Bardhi bën veprimin e papritur

Humbja e thellë në derbin me Tiranën e trazoi jo pak ambientin blu, më shumë për paraqitjen e skuadrës në atë 90-minutësh se për rezultatin. Menjëherë pas ndeshjes, trajneri Bledi Shkëmbi bëri një takim të shkurtër me të tijtë në dhomat e zhveshjes, ku kritikat nuk munguan.

Skuadra më pas u la dy ditë pushim, pasi këtë javë nuk ka ndeshje, ndërsa drejtuesit kanë vazhduar punën e tyre.

Presidenti Adrian Bardhi e ka shprehur hapur zhgënjimin ndaj skuadrës për ndeshjen me Tiranën. Të martën në mbrëmje, teksa prezantoi drejtorin e ri sportiv, Arbi Laçi, para të gjithë trajnerëve të klubit, ai bisedoi me këta të fundit për gjendjen aktuale, duke kërkuar të mësojë çdo problematikë që ata kanë.

Sigurisht, fokusi ishte te skuadra e parë, ku gjërat nuk po ecin ashtu siç ishte menduar. Kreu i klubit blu e ka thënë edhe në një intervistë për “Panorama Sport” se do të merren masa që të tilla paraqitje të mos përsëriten më te Dinamoja.

Ai ka diskutuar me trajnerin Shkëmbi edhe në një takim të mëparshëm për gjërat që e shqetësojnë dhe tani pritet vetëm reagimi i skuadrës në fushë.

Javën e ardhshme blutë duhet të sigurojnë kualifikimin në Kupë, duke mbrojtur fitoren 2-0 në ndeshjen e parë dhe më pas duhet të kthehen te fitorja në kampionat ndaj Egnatias.