Longo ngre peshë kuksianët: Do luftojmë për titullin

Diego Longo kërkon të ruajë ecurinë pozitive me Kukësin edhe në Kupë, teksa sot do të përballen me Egnatian në stadiumin e Peqinit. Në prononcimin e tij për mediat para kësaj sfide, italiani shprehet optimist për të marrë një rezultat pozitiv, ndonëse sheh një kundërshtar më në formë sesa ndeshja e parë që zhvilluan midis tyre në kampionat. “Çdo ndeshje, madje edhe miqësoret apo stërvitjet janë shumë të rëndësishme për ne. Të gjitha kompeticionet kanë të njëjtën rëndësi.

Luajmë në Kupë për një trofe dhe ne duhet ta fitojmë për ta çuar në Kukës. Duhet të luftojmë me 100 për qind të forcave tona në çdo ndeshje. Me siguri Egnatia ndryshon nga ndeshja e parë e sezonit kundër nesh, sepse kanë fituar besim falë rezultateve të arritura.

Është një ekip shumë i mirë, i organizuar dhe luftarak. Kanë zgjedhur të luajnë në një fushë si ajo e Peqinit që nuk është në gjendje të mirë, por kjo është zgjedhja e tyre. Jemi të përqendruar dhe të përgatitur për t’u ndeshur me një skuadër të ndryshme nga ajo e javës së parë”, u shpreh fillimisht trajneri i verilindorëve.

RROTACIONI – Ndodh shpesh që skuadrat të bëjnë rrotacione në Kupë, por ky nuk pritet të jetë rasti i Kukësit, për më tepër që ky kompeticion është një objektiv i tyre, ndaj Longo pritet të hedhë në fushë më të mirët.

“Jo, nuk do të bëj rrotacion. Nuk duhet të mendojmë që është thjesht një ndeshje Kupe. Kush është në formë më të mirë, do të luajë që nga minuta e parë. E theksoj që nuk ka asnjë rëndësi nëse futbollistët e mi kanë luajtur edhe tri ditë më parë”, vijoi më tej prononcimin e tij kreu i pankinës së Kukësit.

SITUATA – Longo u ndal edhe te situata që po kalon skuadra në këto shtatë javë kampionat. Italiani nuk e fsheh kënaqësinë për atë që ka treguar në fushë, por kërkon të mos harrohen edhe gabimet e bëra deri më tani. Ai i gëzohet edhe faktit që në fund të muajit pritet të luajnë në Kukës pranë tifozëve.

“Jam shumë i lumtur për mënyrën se si stërvitemi dhe luajmë. Sigurisht, rezultatet janë shumë të rëndësishme dhe ne kemi grumbulluar shumë pikë, por nuk duhet të harrojmë edhe mënyrën naive se si kemi humbur tri pikë ndaj Laçit e Teutës.

Puna ime nuk është të analizoj rezultatet, paraqitjet tona në fushën e lojës, prandaj duhet të punoj edhe më shumë me skuadrën. Por, më duhet të them që jam i kënaqur me atë që skuadra ka treguar në fushë deri tani.

Jam entuziast që në fund të këtij muaji do të luajmë në shtëpi, ku na pret një atmosferë pozitive, po ashtu edhe djemtë po presin me padurim për të luajtur në një fushë të mirë dhe me mbështetjen e tifozëve”, theksoi Longo, i cili mezi pret që ekipi të luajë në Kukës.

diego longo 1

KLASIFIKIMI – Kukësi është në vendin e dytë në kampionat, me tri pikë pas Tiranës, por për Longon këto llogari bëhen vetëm në muajin mars, ndërsa vlerësoi edhe kryesuesit e Tiranës.

“Në këtë moment nuk mendoj shumë për klasifikimin në kampionat. Deri në mars nëse jemi katër apo pesë pikë larg vendit të parë, do të jemi në lojë për të synuar titullin. Gjithsesi, mund të them që Tirana është një ekip tradicional me 25 tituj, shumë e balancuar.

Ata e dinë si fitohet, ndërsa fanella e tyre peshon shumë. I vlerësoj shumë si skuadër, por duhet të presim dhe të shikojmë çfarë do të ndodhë”, përfundoi italiani i bankinës.