Mbrojtësi i Kukësit tregon sekretin e suksesit në këtë sezon

Bruno Lulaj është kthyer në liderin e skuadrës së Kukësit në mbrojtje, atë që ende konsiderohet si “thembra e Akilit” te Kukësi. Mirëpo, rezultatet e javëve të fundit kanë treguar se ky repart po konsolidohet, pasi skuadra nuk po pëson. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari i gëzohet vazhdimësisë që ka skuadra dhe jo më kot janë në vendin e dytë në klasifikim.

Për të, skuadra e këtij sezoni ka ndryshuar mentalitet me trajnerin Longo, ndërsa ndihet i vlerësuar nga fjalët e trajnerit në drejtim të tij. Sa i përket kampionatit, ai e sheh skuadrën e tij mes pretendentëve, ndonëse pret që t’i marrin ndeshjet një e nga një.

Bruno, morët një fitore të rëndësishme ndaj Dinamos dhe jeni të dytët. Si ndiheni?
Është e vërtetë që morëm një fitore shumë të rëndësishme ndaj një skuadre me shumë kualitet, si edhe ndër pretendentët e këtij edicioni. Ndihemi shumë mirë që arritëm të dalim me tri pikët, i cili ka qenë edhe objektivi për këtë përballje. Por, më shumë na gëzon fakti që skuadra ka vazhdimësi si në lojë ashtu edhe në rezultate.

Në dy ndeshjet e fundit nuk keni pësuar gol, po konsolidohet më në fund ky repart?
Sigurisht që na kënaq fakti që dy ndeshjet e fundit nuk kemi pësuar. Por, për mendimin tim kjo është meritë e gjithë skuadrës, jo vetëm e mbrojtjes, sepse mbrojmë të gjithë bashkë ashtu siç edhe sulmojmë të gjithë bashkë.

Trajneri ju konsideroi si një ndër mbrojtësit më të mirë në Shqipëri dhe që meritoni Kombëtaren. Keni ndonjë koment?
E falënderoj për vlerësimin dhe për besimin që më ka dhënë që në fillim të sezonit. Unë po punoj dhe do punoj çdo ditë për të arritur më të mirën. Vlerësimet e trajnerit më motivojnë akoma.

Çfarë ka ndryshe Kukësi i këtij viti nga ai i sezonit të kaluar, meqenëse jeni ndër të paktët që nuk keni lëvizur?
Kukësi edhe sezonin e kaluar ka pasur ekip me kualitet, pavarësisht se për fat të keq në fund nuk arritëm objektivat. Por, këtë vit ka ndryshuar mentaliteti, fryma e grupit dhe mënyra e të punuarit në detaje, meritë e cila i përket trajnerit Longo.

Fillimisht keni kupën me Egnatian dhe më pas udhëtoni në Korçë ndaj Skënderbeut. Si i shihni këto dy ndeshje?
Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e sezonit, por si fillim jemi të fokusuar te ndeshja e kupës kundër Egnatias. E kemi vlerësuar maksimalisht dhe do të shkojmë aty si në çdo ndeshje, për ta fituar. Pas ndeshjes së kupës do të fillojmë të mendojmë për Skënderbeun.

Si ju duket futbolli ofensiv që po aplikon trajneri, mendoni që do të ketë sukses?
Futbolli ofensiv që po aplikon skuadra këtë vit, së pari, ne si futbollistë na kënaq shumë dhe, së dyti, na përshtatet për cilësitë që kemi si ekip. Gjëja më e rëndësishme për të pasur sukses, pastaj, është uniteti i ekipit, të cilin e kemi këtë vit.

Si ju duket ky kampionat, e ndieni veten mes favoritëve për të pretenduar në kampionat dhe kupë?
Që në fillim është e qartë dhe duket që do jetë një kampionat shumë i fortë dhe i luftuar. Sigurisht, ekipi i Kukësit çdo vit pretendon për të dy trofetë dhe mund të them se jemi mes favoritëve për t’i fituar ato. Por, gjithsesi do t’i shohim gjërat javë pas jave.