Memelli nuk e diskuton fitoren ndaj Kastriotit

Fitorja e fundit ndaj një rivali direkt bëri që Skënderbeu të besojë më fort te mbijetesa sesa mund të kishte bërë deri më tani. Një gjë e tillë u vu re jo vetëm pas ndeshjes, por edhe përgjatë seancave stërvitore të zhvilluara në këto ditë, atje ku Skënderbeu shfaqej i qeshur dhe besimplotë për vijimësinë. Në të tilla kushte, kur këto rezultate japin besim, edhe trajneri Migen Memelli është besimplotë se ky grup vlen shumë dhe mund të shkojë larg përtej pritshmërive. Tashmë objektivi nuk është thjesht kalimi i Bylisit në renditje, por, pse jo, sigurimi i mbijetesës edhe përmes qëndrimit direkt dhe shmangies së fazës “play out”.

Në prag të ndeshjes kundër Kastriotit përtej mungesave dhe problemeve që u mbartën pas ndeshjes së Bylisit, trajneri kërkon sërish nga ekipi i tij të japë maksimumin. I bindur në cilësitë e grupit që stërvit, Memelli është i bindur që Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë të bëjë më të mirën në këtë takim. “Jemi në një moment të mirë të ecurisë pozitive dhe një gjë të tillë duhet ta shfrytëzojmë në maksimum. Ekipi është mirë dhe ka treguar forcën e vet në ndeshjet e fundit. Jemi ekipi që kemi pasur më shumë produktivitet rezultatesh dhe këtë duhet ta reflektojmë edhe në ndeshjet e radhës.

Kemi një ndeshje të vështirë dhe delikate përballë Kastriotit që në vetvete është një ekip i fortë dhe fizik. Duhet të gjejmë përgjigjen e duhur dhe djemtë janë gati për të bërë një gjë të tillë. Personalisht mendoj se mund t’ia dalim dhe të jemi ne ata që do të marrim më të mirën në këtë takim. Nuk i shohim ndeshjet në vijimësi dhe as për finale nuk mund të flasim në këtë takim. Ne do të shkojmë atje për të bërë më të mirën tonë dhe do të tentojmë të dalim me maksimumin e mundshëm të pikëve”, theksoi fillimisht Memelli për “Panorama Sport”.

MUNGESAT – Normalisht që në një moment të tillë çdo trajner do të donte në dispozicion një ekip sa më të plotë dhe kjo duket se e prish disi planin e trajnerit bardhekuq, por gjithsesi Memelli është gati për të dhënë më të mirën e tij në ndërtimin e formacionit për ndeshjen ndaj Kastriotit. “Nëse do të kisha një ekip më të plotë në dispozicion, atëherë nuk do të shqetësohesha për asnjë gjë. Mungesat e kësaj jave na vënë disi në vështirësi. Por, ekipi është gati dhe do të dijë të mbulojë edhe problemet me formacionin që kemi. Jam i bindur se lojtarët që do të hidhen në fushë nga minuta e parë do të dinë të japin më të mirën e tyre në këtë takim”, vazhdoi më tej Memelli.

FINALJA – Trajneri i korçarëve takimin me Kastriotin nuk e konsideron finale. “Nuk mund të flasim për finale sezoni që tani, pasi çdo ndeshje për ne është finale. Nëse shohim si target një ndeshje të caktuar, ekziston mundësia që në atë takim të jetë mbyllur gjithçka për sa i përket objektivit. Prandaj, duhet që të vlerësojmë çdo kundërshtar njëri pas tjetrit dhe të japim më të mirën tonë”, përfundoi Memelli.