Mensah “ndez” korçarët: Tani radha të mundim Tiranën

Skënderbeu ia ka dalë të marrë një fitore me shumë vlera në “Elbasan Arena” përballë Kukësit. Një fitore që, veç tri pikëve të marra, ka shkurtuar diferencën me Bylisin, si ekipi më i afërt për luftën e mbijetesës duke u dhënë shpresë bardhekuqve që të mbeten në elitën e futbollit shqiptar. Përveç lojës së grupit, kjo fitore dhe ky Skënderbe duket se kanë një frymëzues, ganezin Alfred Mensah i cili gjithnjë e më shumë po bëhet “heroi” i korçarëve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari vlerëson momentin si dhe është besimplotë se Skënderbeu nuk është ekipi që bie nga kategoria.

Mensah, një fitore me peshë për Skënderbeun. E kishit menduar kështu?

Ka qenë një fitore e madhe, ku jemi shpërblyer më së miri për besimin dhe forcën e garës që treguam. Asnjëherë nuk jemi dorëzuar dhe e kemi mbajtur kokën lart edhe kur punët nuk ecnin siç duhej. Normalisht që prisnim të merrnim pikë në këtë transfertë, pasi e kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe përtej mungesave, hymë në fushë të karikuar për të bërë mirë. Kishim një ekip të fortë përballë dhe ne vinim me disa mungesa të rëndësishme, por besuam deri në fund dhe ia dolëm.

Ju ishit sërish përcaktues për Skënderbeun. Jeni i kënaqur?

Pa dyshim që po. Ishte një meritë e madhe e ekipit dhe shpirtit të garës që treguam deri në fund. Sigurisht që goli gjithmonë ka peshë për një sulmues dhe unë jam i kënaqur që arrita të shënoja. Aq më tepër, vlen një gol kur vjen edhe me fitoren e skuadrës në fund. Ka vlerë dhe kënaqësi të dyfishtë.

Tani jeni golashënuesi më i mirë i Skënderbeut për këtë sezon. Do të vazhdoni kështu?

Asgjë nuk ka mbaruar dhe unë jam i përqendruar tek objektivi sezonal që kemi si ekip. Do të duhet të luftojmë edhe për dhjetë javë, të derdhim djersë e të mendojmë vetëm për sukses. Do të nisim planet nga ndeshja e radhës. Më pas nëse suksesi vjen përmes golave të mi, është i mirëpritur.

Ndeshja e radhës ndaj Tiranës. Sa e vështirë është?

Një tjetër finale siç janë të gjitha deri në fund të sezonit, por duke qenë se kjo është ndeshja jonë e radhës, merr një rëndësi më të veçantë se të tjerat. Tirana po kalon një formë të mirë dhe normalisht që pretendon për objektivat maksimalë. Ne do ta përgatisim takimin njësoj siç kemi bërë këto ndeshjet e fundit dhe do të përpiqemi të marrim maksimumin e mundshëm. Na duhet shumë punë dhe mund për t’ia dalë, por jemi të gatshëm të sakrifikojmë dhe kjo ka rëndësi.

Cili është rivali i Skënderbeut në këtë sezon?

Ne nuk shohim asnjë rival, nuk mendojmë për rezultatet e të tjerëve, por vetëm ecurinë tonë. Pra, mund të them se Skënderbeu krahasohet me veten e vet dhe ka rival vetëm Skënderbeun. Nëse jemi të përqendruar në maksimum dhe japim më të mirën në çdo ndeshje, jam i bindur që ia dalim. Fitorja e fundit na dha besim dhe them me bindje se nuk bie Skënderbeu nga kategoria e më të mirëve.