Përditësohet lista me vlerat e lojtarëve/ Ja futbollistët më të shtrenjtë në kombëtare

Shqipëria po rritet ndjeshëm, jo vetëm për formën dhe kontingjentin e lojtarëve cilësorë, por edhe për vetë vlerën që ka secili prej tyre në treg. Në krye të listës së lojtarëve të Kombëtares, referuar vlerës së kartonit në “transfermarkt”, Marash Kumbulla është prej disa kohësh lojtari më i shtrenjtë i Shqipërisë.

“Panorama Sport” ju sjell një listë me lojtarët që kanë pësuar rritje së fundmi për vetë vlerën që saktëson faqja me të dhëna për futbollistët. Mbrojtësi i Romës, i cili së fundmi ka pësuar një dëmtim në ligamentet e gjurit pas transfertës në Andorrë me Kombëtaren, ka pësuar një rritje të kartonit me 2 milionë euro, duke mbërritur në vlerën prej 27 milionë eurosh.

I dyti në këtë klasifikim, është një tjetër mbrojtës. Berat Gjimshiti është në “katapultë” duke përfituar rritje prej 4 milionë eurosh dhe tanimë, kartoni i tij vlerësohet së paku 22 milionë euro. I treti në listën e lojtarëve më të shtrenjtë shqiptarë është portieri Tomas Strakosha, një thesar në bilancet e Lacios që vlen 18 milionë euro. Rritje ka pësuar edhe Nedim Bajrami.