Sadiku lë nam në Bolivi, i mohon padashje golin shokut të skuadrës (VIDEO)

Armando Sadiku po vazhdon që të zhgënjejë me performancat e tij në Bolivi, ku ashtu si edhe në Turqi, nuk ka arritur ende që të gjejë golin e parë. Sulmuesi matet me realizimet e bëra dhe nëse në dy aventura mungon ende tundja e rrjetës, kjo tregon më së miri gjendjen e vështirë ku ndodhet Sadiku.

Për të kërkuar golin e tij të fundit duhet të gërmojmë në kohën kur ishte te Malaga në Spanjë. Ndërkohë edhe trajnerit të Bolivarit i është sosur durimi teksa e ka rikthyer sërish lojtarin shqiptar në stol. Sadiku u aktivizua në minutën e 77 në ndeshjen e djeshme kundër Aurorës që përfundoi në shifrat 1-1.

Jo vetëm që nuk arriti të linte gjurmë, por në minutën e 83 do t’i mohonte edhe mundësinë e pastër shokut të skuadrës për ta dërguar topin në rrjetë. I vendosur keq përpara zonës kundërshtare, topi me forcën e madhe do të ndalej vetëm në kokën e Sadikut. E nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë jo vetëm Kombëtarja, por edhe vazhdimi i karrierës së Armandos pëson tronditje të madhe. Fundja kush do e dëshironte një sulmues me 0 gola të shënuara në dy aventurat e fundit? /Sport Ekspres/