Skënderbeu-Apolonia/ Ahmataj dhe Kamarata e kanë me gjykimin

Skënderbeu dhe Apolonia janë ndarë në paqe duke barazuar në shifrat 1-1. Të dyja ekipet kanë shënuar nga pika e bardhë teksa fillimisht ishin korçarët me Meksin që gjetën rrjetën, ndërsa Gjata do të barazonte shifrat. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve:

Ahmataj (Skënderbeu): “Kemi bërë një ndeshje të nivelit të lartë në terren të rënduar. Kishim mundësinë për të dyfishuar shifrat, por Apolonisë i erdhi një ndihmë, një shtysë me faulla që nuk u dhanë për ne. Mungon një penallti për ne në pjesën e parë. Është hera e parë që jam kaq i nervozuar, ka ardhur një pikë që ne themi: “Po çfarë po bëjmë?”. Jemi duke sakrifikuar larg familjes sonë, për të përfaqësuar qytetin e Korçës në mënyrën më të mirë, dinjitoze, me të gjithë djemtë e rinjë. Megjithatë gabimet e arbitrave janë në vazhdimësi kundër nesh. Penalltia e Apolonisë nuk ishte aspak. Kjo është hera e parë dhe e vetme që flas për arbitrat. Shihni edhe rastin e javës së shkuar. Nuk jemi dënuar nga lojtarët e rinjë, por në mënyra të tjera. Skënderbeu do tregoj se nuk dorëzohet, se do vazhdojë të luajë futboll dhe nuk largohet nga Superiorja”.

Kamarata (Apolonia): “Ishte një pikë shumë e rëndësishme ndaj një rivali direkt. Ne do të donim që të fitonim ndeshjen, por nuk jemi vetëm ne në fushë, por edhe kundërshtari. Ishte një ndeshje e fortë dhe rezultati i rri përshtat. Penallti jonë? Ishte e tillë pasi Gjata ishte përpara dhe mbrojti topin, bravo për të, nga pankina për mua ishte neto ajo penallti. Ishte penallti e pastër, si mund të mos e japësh, kur lojtari i atyre përqafon futbollistin tonë?”.