Sokol Cikalleshi tregon cilën kombëtare ka zgjedhur Zymer Bytyqi

Dopietë, asist dhe një gol i anuluar nga VAR-i. Në fundjavë, sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi, shkëlqeu në një ndeshje vendimtare që Koniaspori fitoi 5- 1 kundër Kragumrukut, duke siguruar mesin e artë të tabelës. Për “Panorama Sport” sulmuesi i Kombëtares tregon objektivin personal, flet për ndeshjet e shtatorit, talentin Bytyqi që mund të vishet kuqezi, si e futi familjen në stadium teksa është karantinë.

Dopietë, gol të anuluar dhe asist. Si ishte kjo ndeshje?

Këtë ndeshje e kishim nisur që 3 ditë më herët. Tri ditë më parë, luajtëm ndaj Gallatasarajit dhe pësuam një gol në dy apo tri minutat e fundit dhe dolëm pa pikë. Menjëherë në dhomat e zhveshjes, u mblodhëm me ekipin, folëm, diskutuam dhe thamë të gjithë që s’na lejohen më gabime, hapa falsë. Për vetë pozitat e ekipit, e kishim të nevojshme që të riktheheshim te fitorja. Për fat, kështu ndodhi. Nuk ishte vetëm ndeshje fantastike nga unë, por nga e gjithë skuadra. Unë shënova dopietë dhe asistova, që u shoqërua me 3 pikët. Tanimë jemi më të sigurt në mesin e tabelës. Një objektiv kryesor i ekipit.

Sa keqardhje për atë gol të anuluar nga VAR-i?

Në fund, shumë, se do kisha bërë tripletë, por ishte i tillë për t’u anuluar. Gjatë ndeshjes, kur u sinjalizua VAR-i, po flisja me shokun e ekipit nëse e preku apo jo topin. Në fakt, ai nuk e ka prekur, por u sinjalizua në pozicion jashtë loje, sepse ishte më i avantazhuar se mbrojtësit dhe tentoi që të arrinte sferën. Pra, interferoi në aksion dhe për këtë, anulimi ishte i drejtë.

Por, pësuat gol dhe ai reagim juaji dhe i ekipit…

Realisht e kishim përgatitur mirë ndeshjen dhe pasi u anulua goli im, mendoja se mund të shkonin gjërat keq. Për fat jo, siç e kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen, nuk e humbëm toruan dhe bëmë reagimin e duhur. Personalisht po e kërkoja me ngulm golin dhe doja shumë që të ndihmoja ekipin të rikthehej te fitorja.

Dy spektatore speciale në stadium, bashkëshortja dhe vajza juaj. Një motivim ekstra për ju për këtë paraqitje?

Absolutisht që po, një ogur shumë i mirë që ishin në stadium për mua. Ju e keni ndjekur edhe në rrjetet sociale kënaqësinë e vajzës, teksa unë shënoja dhe isha në fushë. Ua kisha premtuar Kornelias dhe vajzës që në ndeshjen e rëndësishme, si këtë fundjavë, do ishin në stadium.

Por, Turqia është e mbyllur për situatës me COVID, apo jo?

Po, jemi prej tri javësh të mbyllur, por sigurova një leje policore që ata të mund të ishin në stadium dhe më sollën fat. Për më tepër, i gëzova me paraqitjen dhe golat e mi. Janë një mbështetje e madhe për mua në çdo moment, ndaj ishte një mënyrë për t’ua shpërblyer.

Tetë gola dhe tri asiste, si e konsideroni këtë sezon personal?

Ka qenë një sezon i gjatë, i mundimshëm dhe shumë i lodhshëm për shkak të pandemisë që së fundmi ka bërë një ngjeshje të jashtëzakonshme të kalendarit dhe unë i kam luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet. Nuk ka qenë aspak e lehtë. Duke ditur që në pjesën e parë të sezonit nuk kam luajtur në pozicionin tim, por si anësor, mendoj se me këto statistika konsiderohet një vit i mirë, i mbarë. Me ardhjen e trajnerit të ri, jam rikthyer në rolin tim si qendërsulmues, kam shënuar dhe jam mirë.

Objektivi personal i Cikalleshit?

Kanë mbetur edhe tri ndeshje dhe uroj e shpresoj që do të arrijmë të jemi në elitë edhe për sezonin tjetër. Sa i përket aspektit personal, nëse do të arrija kuotën e dhjetë golave, me gjithë specifikat që përmenda më sipër, do ta konsideroja një vit pozitiv.

Jemi në muajin e madhërueshëm të Ramazanit për myslimanët. Ju agjëroni dhe si ka qenë për ju?

Po, agjëroj, bashkë edhe me familjarët e mi. Për një futbollist nuk është e lehtë, një sakrificë e tillë kërkon përkushtim. Unë vetëm ditët e ndeshjeve nuk kam agjëruar, ditë të cilat do t’i plotësoj pas këtij muaji. Si unë ka edhe shumë lojtarë të tjerë. Të them nëse ndikon apo jo, është personale dhe e ndryshme nga një lojtar e një tjetër. Urimet dhe bekimet më të mëdha që ka ky muaj për çdo besimtar!

Ku do të jetë e ardhmja e Cikalleshit?

Kam edhe një vit kontratë me Koniasporin dhe ndihem mjaft mirë. Është një skuadër e organizuar mirë, me një projekt të mirë dhe me tifozë të zjarrtë që e mbështesin shumë ekipin. Personalisht mendoj se do të qëndroj këtu edhe për vitin tjetër, por në rast se do shënoja dhjetë gola dhe mund të vinte një ofertë interesante, absolutisht do ta shikoja në detaje.

Asistuat për Bytyqin, ka shanse t’ju shohim bashkë me të në Kombëtare?

Që nga momenti kur ka ardhur në ekip, ai më ka asistuar dy apo tri herë dhe ishte radha që t’ia shpërblej. Këtë ndeshje ndërruam rolet (qesh…). Është një lojtar shumë i mirë, një talent i cili është vetëm 24 vjeç dhe e pret një e ardhme e ndritur besoj. Ju flas pa doreza, siç thuhet. Mendoj që në rast se Kombëtarja do ta ftojë Bytyqin, do të jetë një element pozitiv i shtuar, një plus i madh për Kombëtaren për vetë cilësitë që ka.

“Panorama Sport” ka shkruar se ai do të jetë në të ardhmen kuqezi. Ju, çfarë mund të na thoni, sa i gatshëm është të vijë me Kombëtaren?

Kam biseduar me të, por mos prisni të them shumë. mund t’ju them që është gati për një ftesë nga Shqipëria. Në momentin që do ta ketë një të tillë, përgjigjja e tij do të jetë “po”

Hungaria e Polonia në shtator. Çfarë duhet të presim nga Kombëtarja?

Miqësoret në qershor janë të rëndësishme, pasi janë një mundësi më shumë që trajneri të marrë përgjigjet që do nga skuadra apo lojtarë të veçantë. Aq më tepër që i shërbejnë skuadrës të jetë bashkë, të praktikojë disa ditë stërvitje me shumë së bashku. Sa u përket ndeshjeve me Hungarinë dhe Poloninë, për ne janë “prova e zjarrit”.

Është gati Shqipëria për ta kaluar këtë “provë zjarri”?

Të qëndrojmë me këmbë në tokë. Hungaria dhe Polonia kanë skuadra shumë të mira, ndoshta edhe më të mira sesa ne. Megjithatë, ajo që unë garantoj çdo tifoz, është se Kombëtarja do të bëjë maksimumin, me cilindo lojtar që do të jetë në fushë. Nëse ne do të aplikojmë 100% me fanatizëm skemat dhe filozofinë e trajnerit dhe nëse do të japim më shumë se 100% në fushë, atëherë unë kam bindjen se mund të marrim rezultate pozitive edhe ndaj këtyre dy rivalëve.