Takaj: Disa ekipe më kanë kërkuar të marr drejtimin e tyre, Olainka na dha 1.5 mln euro

“Shumë shpejt do të kthehemi aty ku e ëndërrojmë”. Ardjan Takaj nuk dorëzohet për Skënderbeun, edhe pse për momentin është i lumtur që skuadra ia ka dalë të mbijetojë në një prej kampionateve më të vështira për korçarët në dekadën e fundit. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, presidenti flet për herë të parë rreth pritshmërive për një amnisti nga UEFA të klubit bardhekuq, si dhe shpresën që e mban gjallë për të vazhduar projektin. Takaj tregon edhe gjëra të pathëna më parë rreth viteve të arta, nga pengjet, te trajnerët që ka bashkëpunuar dhe deri te shitjet e bujshme që ende i sjellin të ardhura. Ai pranon për gazetën se drejtuesit e tri klubeve të Superiores e kanë kërkuar ta afrojnë për të investuar.

Disa tituj kampionë radhazi dhe histori në Europë, ndërsa tashmë duhet të festoni për mbijetesën në Superiore. Cila është ndjesia për një president që është orientuar gjithmonë për të kapur vendet e kreut?

Po prandaj futbolli është i bukur, sepse nuk mund të jesh i përjetshëm në majë. Ka ulje dhe ngritje, kështu që është mirë t’i provosh të gjitha. Në çdo pozicion ku je, mendoj se kampionati bëhet i bukur dhe ajo që më ka ngrohur në këtë periudhë janë djemtë e rinj që kemi në skuadër. Janë të gjithë premtues për të ardhmen dhe kjo më ka bërë edhe më entuziastë për vazhdimësinë. Natyrisht nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse u largua gjithë ekipi dhe u bë nga e para me të rinj.

Gjithsesi, ndërtimi nga e para me të rinj ishte një zgjidhje nga halli për shkak të situatës…?

Për hir të së vërtetës kjo ka qenë një dëshirë imja prej vitesh, për të pasur një ekip me të rinj premtues, që rriten te Skënderbeu për 3-4 sezone dhe më pas bëjnë hapin e madh. Tashmë, besoj se jemi tamam në kohën e duhur për ta zhvilluar këtë projekt. Kaluam vështirësinë më të madhe, që ishte mbijetesa në Superiore. Për të qenë i sinqertë, edhe fat nuk kemi pasur. Të paktën, sa jam unë në futboll, nuk më ka bërë kurrë vaki që të na dëmtohen gati 8 qendërmbrojtës gjatë sezonit. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme. Gjithsesi, arritëm objektivin që kishim dhe mbi të gjitha shkuam në finalen e Kupës. Nëse fitonim edhe Kupën, do të ishte diçka tjetër. Megjithatë, them se jemi shumë mirë.

Shpëtimi i Skënderbeut u cilësua si një mrekulli, por mund të fitonit edhe Kupën. Keni ndonjë keqardhje për finalen me Vllazninë?

Nuk mund të them keqardhje, edhe pse s’më vjen mirë që derisa shkuam në finale, pse mos të fitonim. Unë shikoj një brez që po rritet dhe që muajt e fundit u fut në shina. Kjo finale ishte një motiv më shumë për vitin tjetër, sepse janë të rinj dhe kanë kohë për të arritur suksese. Jam i bindur se sezoni i ri do të jetë më i mirë për Skënderbeun.

Dukej sikur kishte humbur çdo shpresë për të qëndruar pas dy fazave të para, por më pas besuat te Migen Memelli. Ishte ky një nga bastet më të rrezikshme tuajat dhe që në fund trajneri e fitoi?

Nuk ishte se kishim humbur çdo shpresë. Ndoshta dukej për opinionin sikur ishim dorëzuar, pasi edhe rezultatet e tregonin këtë. Ardhja e Memellit bëri që të kishte një motivim ndryshe në ekip. Skema që ai zgjodhi bëri që skuadra të futej në lojën e vetë dhe të marrë rezultate. Këto ndryshimet e trajnerëve kështu janë, herë marrin për mirë dhe herë për keq. Më duket sikur Memelli gjeti atë çelësin dhe erdhi te Skënderbeu në momentin e duhur për të çuar skuadrën aty ku i takon.

Memelli konfirmoi se ia keni rinovuar kontratën…

Po, trajneri është rikonfirmuar për sezonin e ri. Kemi diskutuar dhe i besova sërish, pasi na i shpërbleu. Aq sa unë e njihja Memellin, kisha parë tek ai dëshirën e madhe për të punuar, si dhe ambicien që kishte. Edhe kur e zgjodha, në intervistën e parë që bëra te ju, kam deklaruar se donim të shfrytëzonim te ky trajner pikërisht këtë ambicie dhe na doli për mbarë. Nuk mund ta ndërpresim bashkëpunimin kur çdo gjë po ecën në rrugën e duhur.

Çfarë planesh keni, si do të vazhdojë Skënderbeu?

Skënderbeu do të jetë pa diskutim më konkurrues në sezonin e ri. Do të shohim për vende më të mira dhe natyrisht skuadra do të jetë e bazuar te këta djemtë e rinj që mbyllën sezonin. Do të futemi edhe në merkato për të marrë ato përforcime që vërtet kemi nevojë. Nuk besoj se do të kemi firo nga grupi ekzistues, sepse të gjithë janë nën kontratë. Thjesht ne do të forcohemi më tepër, që të jemi një Skënderbe më i fortë.

OK, por dënimi mbetet dhe nuk përfaqësoheni dot në Europë. A mund të na thoni se cilat janë tashmë shpresat tuaja për të ardhmen?

Ne do të vazhdojmë punën. Pastaj, me këtë që thoni ju, i bie që ekipet që nuk kanë marrë pjesë në Europë për gjithë këto vite, atëherë sot do të ishin shkrirë. Njeriun shpresa e mban gjallë. Edhe ne besojmë se do të rikthehemi një ditë aty ku e meritojmë.

Si do të riktheheni, prisni amnisti nga UEFA?

Nuk mund të flasim në ajër, por ne kemi shpresë dhe kjo nuk diskutohet. Nuk e kemi humbur dhe ajo na mban ende te Skënderbeu. Më mirëkuptoni, kaq mund të them për momentin, sepse nëse flas, na mbijnë armiqtë shumë shpejt. Sa herë jemi përgatitur për diçka, ka dalë e kundërta. Thjesht ne do të vazhdojmë punën si klub. Skënderbeu nuk ka qenë një klub që në gjithë historinë e vetë është shquar për pjesëmarrje në Kupat e Europës. Këtu flas për atë që ka ndodhur para 10 viteve. Nuk diskutohet që klubi ka pasur historinë e vetë me ato uljet dhe ngritjet. Tashmë ne po vazhdojmë projektin, për të pasur një ekip që Korça meriton ta ketë. Garantojmë se do të jemi konkurrues, pastaj nëse do të marrim apo jo pjesë në Europë, është diçka tjetër.

Në Korçë duhet të mësohen tashmë me një ekip që thjesht do të luftojë për mbijetesë apo mesin e tabelës…

Të lutem, mos na i vrit kaq shumë shpresat që kemi. Ne besojmë se shumë shpejt do të kthehemi aty ku e ëndërrojmë të gjithë. Kaq mund të them.

Jeni bërë pishman që nuk vendosët për shkrirjen e klubit dhe më pas ta nisnit gjithçka nga e para me një emër tjetër, siç ka ndodhur edhe së fundmi me Luftëtarin?

Nuk më kanë pëlqyer këto aventurat e ndërrimit të emrave. Për këtë nuk jam bërë aspak pishman.

Cili është pengu juaj më i madh në këto 10 vite që jeni shumë afër futbollit?

Pengu më i madh është se u goditëm në momentin më të bukur. Kishim menduar për të arritur shumë lart, por nuk na lanë… Kjo është keqardhja më e madhe në këtë histori.

Nëse nuk do të ishit dënuar, çfarë mund të kishit arritur?

Objektivi ynë ishte i qartë. Kishim një plan 3-vjeçar për të kapur grupet e Ligës së Kampioneve. Ky ka qenë synimi madhor pas herës së fundit që ne ishim pjesë e grupeve të Ligës së Europës. Projekti ishte gati për tri vite dhe besonim se do të kapin grupet e Champions-it.

Kush ka qenë futbollisti për të cilin keni bezdisur më shpesh trajnerët në vitet e arta, pasi vërtet ka qenë beniamini juaj?

Shiko, unë nuk jam nga ata tipa që ndërhyj. E kam si rregull timin këtë. Mund t’i kem kështu për zemër lojtarë të veçantë, por nuk ka shanse të shkoj dhe t’i imponoj trajnerit zgjedhjet që ka në mendje. Pyesni trajnerët për këtë nëse dëshironi. Jashtë fushës është diçka tjetër, por unë nuk e kam fare në praktikë këtë pjesën e ndërhyrjes. Nuk ka ndodhur kurrë që unë të insistoj për dikë që ta fus se dua unë pa një arsye madhore që në futbollin e sotëm është diçka normale.

Për çfarë bëhet fjalë?

Po, e pranoj që kur kemi pasur mundësi shitjeje të ndonjë futbollisti në klube jashtë vendit, i kam kërkuar trajnerit që ta aktivizojë patjetër, pasi do të vinin skautë ta shikonin. Kjo është diçka që ndodh në të gjithë botën. Për t’u dhënë një suport, kemi bërë përjashtime vetëm për këto raste. Ky është një rregull botëror, sepse kështu funksionon tregu. Kur ka interesa klubi, natyrisht që bëhen edhe këto gjëra.

Ka ndonjë lojtar që ju ka zhgënjyer pa masë në këto vite, pasi vërtet keni pritur shumë prej tij?

Ka shumë zhgënjime, por nuk është etike që unë tani të përmend emra. Do t’i mërzisja më tepër. Për hir të së vërtetës ka emra plot, si për mirë dhe për keq. Kohët e fundit shpesh shikoj ndeshjet e viteve të arta të Skënderbeut dhe atje e kuptoj se sa shumë lojtarë kemi pasur.

Për cilin prej tyre ju vjen më shumë keq?

Më vjen më shumë keq për Liridon Latifin. Nuk e di pse i eci kështu karriera, sepse pritshmëritë për të kanë qenë shumë të mëdha. Ishte një lojtar i bukur, që kishe qejf ta shikoje në fushë.

Cili është ai futbollist që edhe sot e kësaj dite sjell të ardhura në klub nga shitja që keni bërë kohë më parë?

Më i suksesshmi është pa diskutim Olainka. Prej tij vazhdojmë të kemi të ardhura. Nuk e di sa u përfol në atë kohë shitja e tij, por unë di të them se përfitimet deri më tani kanë qenë 1.5 milionë euro. Është lojtari më i shitur në historinë e Skënderbeut.

Na flisni pak për raportin që keni pasur me trajnerët. Ta nisim me Mirel Josën, me të cilin keni bashkëpunuar më gjatë se të tjerët…?

Unë jam një president që kaloj mirë me trajnerët. Josa është një nga ata që ka kaluar shkëlqyer në Korçë, me vite shumë të suksesshme. Ka bërë një histori shumë të madhe me Skënderbeun, duke filluar nga 4 titujt radhazi dhe deri te grupet e Ligës së Europës. Ka qenë gjithashtu në fazën “play off” të Ligës së Kampioneve dhe një herë tjetër në “play off” të Ligës së Europës. Kjo është një histori e madhe për një trajner shqiptar. Raportet e mia me të kanë qenë të shkëlqyera. E filluam bashkëpunimin me trofe dhe e mbyllëm si kampionë. Nuk kam çfarë të them më për Josën.

Po për Ilir Dajën?

Edhe me Ilirin kemi bërë histori në futbollin shqiptar. Kanë qenë edhe vite të vështira, pasi u dënuam, por ai diti ta menaxhojë në mënyrë perfekte. Kalimi i katër tureve në Ligën e Europës dhe eliminimi i Dinamo Zagrebit është diçka e paharrueshme për atë që ka bërë ky trajner. Diçka shumë e madhe për ne si klub dhe futbollin shqiptar, sepse arritëm në një nivel tjetër.

Orges Shehin dhe Andrea Agostinelin i keni pasur për një periudhë të shkurtër si trajnerë…

Shehi ka qenë një vit te ne dhe ka pasur një sezon të suksesshëm. Më vjen mirë për të, sepse investuam tek ai gjithë ato vite dhe e vlerësuam për kontributin që ka dhënë. Meritonte një shans dhe erdhi momenti për t’i besuar stolin. Për objektivat që kishim në atë moment, edhe Shehi rezultoi i suksesshëm. Ne pretenduam në atë sezon zonën e Europës dhe e arritëm me Shehin. Më vjen mirë që ai vazhdon akoma të drejtojë klube të rëndësishme në karrierë. Më pak te Skënderbeu ka qëndruar Agostineli, rreth 6 muaj.

Me cilin nga trajnerët e mësipërm keni debatuar më tepër?

Unë nuk kam pasur probleme asnjëherë me trajnerët. Kam kaluar mirë me të gjithë dhe seriozisht nuk kam pasur asnjë konflikt. Jam një president shumë komod për trajnerët, sepse u jap gjithë lirinë që u duhet dhe komplet ekipi varet nga ata. Te Skënderbeu gjithmonë trajneri ka qenë më i rëndësishmi pas presidentit. Asnjë trajner që ka drejtuar Skënderbeun nuk mund të thotë se nuk ka pasur hapësira apo lirinë e duhur për të bërë punën siç ka dashur. Të gjithë kanë pasur shumë kompetenca dhe kanë treguar veten, kush ka vlejtur dhe kush jo. Te ne i kanë pasur të gjithë mundësitë për t’u shprehur, disa e kanë shfrytëzuar dhe të tjerë jo. Institucionin e trajnerit e kemi respektuar shumë.

Në vitet e arta, shumë menaxherë afroheshin te Skënderbeu. Po këtë sezon si ishte, keni pasur më pak telefonata?

Jo. Ne e vazhdojmë bashkëpunimin me të njëjtin raport. Megjithatë, në futboll duhet t’i pranosh këto uljengritje. Nuk mund të shqetësohesh apo të mërzitesh, sepse jeta kështu është. Nuk mund të jesh gjithnjë në majë dhe pastaj kur bëhesh për mbijetesë ta përjetosh shumë keq. Duhet të dish të menaxhosh situatat për t’u ringritur. Kur je i suksesshëm nuk diskutohet që do të kesh shumë njerëz të interesuar, pastaj do mësohesh edhe më një situatë kur interesi ndaj klubit tënd është më i paktë. Ky është futbolli dhe këto siklete duhet t’i pranosh.

Si e keni parë garën për titull në sezonin e fundit, mendoni se verdiktet për kreun kanë qenë të drejta?

Po, mendoj se kanë qenë të drejta. Të katra ekipet shkuan deri në javën e fundit dhe kur ndahen vetëm për gola, nuk mund të thuash që janë të padrejta. Të gjitha klubet e provuan kreun dhe në fund i qëlloi Teutës në ato sekondat e fundit dhe mori titullin.

Edhe Skënderbeu u bë faktor në garën për titull, pasi ndalët Partizanin dhe Laçin në fazën e katërt…

Nuk mund të themi këtë, sepse halli ynë ishte shumë i madh dhe donim të shkëpusnim pikë ndaj të gjitha skuadrave. Ne e kishim luftën me ekipet e vendeve të fundit, nuk ishim në garë për titull.

Jugu i vendit do të përfaqësohet në elitë në sezonin e ri vetëm me Skënderbeun. E kishit menduar se do të vinte ky rast i paprecedent në historinë e futbollit shqiptar?

Është diçka e rëndë kur shikon që emra shumë të mëdhenj të futbollit shqiptar nuk do të jenë pjesë e elitës. Duket vërtet e dhimbshme, por kjo bëhet edhe më tragjike kur këto klube me emër të madh shkojnë në Kategori të Dytë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se futbolli është i pamëshirshëm. Në fund të fundit do të marrin pjesë në elitë ato ekipe që investojnë. Në këto momente futbolli është i lidhur shumë me investimet, kështu që nuk ka të bëjë fare se sa i madh është qyteti apo sa emër ka pasur klubi ndër dekada. Kështu i binte të ishte Pekini kampion bote.

Po historia e Flamurtarit së fundmi, si ju është dukur?

Këto drama në futboll njihen, pasi në gjithë Europën shumë ekipe të mëdha e kanë pësuar. E thashë edhe më lart, gjithçka është e lidhur me investimet. Ashtu siç falimentojnë bizneset e tjera, edhe futbolli nuk mund të shmanget. Ky sport do të përshtatet me ekonominë e tregut në Shqipëri, nuk mund të veçohet.

Në vitet e postdënimit të Skënderbeut cilat kanë qenë bashkitë apo drejtuesit e klubeve që kanë dashur t’ju joshnin që të investoni aty dhe të largoheni nga Korça?

Ka pasur, por mos prisni t’u them emra. Kanë qenë tri klube të Superiores, të cilat kanë insistuar që unë të bëhem pjesë e aksioneve të tyre. Gjithsesi, unë nuk jam lojtar futbolli që mund të iki nga një ekip në tjetrin. Jam i Skënderbeut dhe e mbyll me këtë klub.