Takaj shkund Skënderbeun para ndeshjes me Vllazninë

Skënderbeu është i fokusuar te mbyllja e përgatitjeve për duelin e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë. Një ndeshje ku korçarët duhet me patjetër të marrin pikë për të tentuar mbijetesën në Superiore. Para këtij takimi, ekipi është “shkundur” edhe nga mesazhet e presidentit Ardjan Takaj, i cili ka vendosur të thyejë heshtjen duke u bërë me dije lojtarëve se ndeshjet e mbetura janë shumë të rëndësishme për skuadrën dhe klubin.

Në një takim me futbollistët para nisjes për në Korçë të ekipit, Takaj ka kërkuar pikët si të vetmen rrugë që nxjerr Skënderbeun nga ky pozicion.

Burime të gazetës thanë se toni i diskutimit të presidentit, pavarësisht situatës, ka qenë i qetë, por ka “shkundur” lojtarët që të marrin më shumë përgjegjësi. “Panorama Sport” ka arritur të zbardhë, mes të tjerash, atë çfarë presidenti Takaj u ka kërkuar lojtarëve dje në takim:

“Është një moment i vështirë dhe kjo duket qartë dhe të gjithë e kuptojmë, por nuk mund të justifikohet pasiviteti në fushë në momente të caktuara dhe pësimi i golave në mënyrë foshnjarake. Ndeshja e radhës është ndaj Vllaznisë dhe ai ekip le t’u shërbejë si pikë referimi për cilësitë që ka dhe kampionatin e mirë që po zhvillon me djem të rinj, por që vrapojnë.

Pikërisht ndaj tyre duhet të tregoni se dhe ju keni cilësi dhe ju mund të vraponi po aq apo ndoshta më shumë se ata. Në situatën ku ndodhemi, të gjithë duhet të sakrifikojmë dhe të bëjmë më të mirën tonë për të marrë atë që është më e nevojshme për ne, pikët. Vetëm këto kanë rëndësi për momentin. T’i lëmë pas ato që kanë ikur dhe ndeshjet e humbura.

Është koha për reagim dhe këtë reagim e dua duke filluar nga kjo ndeshje. Nuk do të tolerohet më pasiviteti dhe neglizhenca. Nuk jeni të pazëvendësueshëm në këtë ekip, por të paktën të jeni të përgjegjshëm se ku jeni dhe çfarë fanelle mbani veshur”.See the source image

FORMACIONI – Ndryshimet në formacion do të ndodhin dukshëm edhe në ndeshjen ndaj Vllaznisë, ku rikthimi i Mensah shikohet me nota pozitive për ekipin. Nga ana tjetër, do të mungojë Bajrami dhe kjo mund të sjellë ndryshime sërish në prapavijë që nuk po gjen stabilitetin e duhur. Dajsinanit pritet që t’i besohet sërish porta pavarësisht se është portieri më i ndëshkuar i sezonit.

Nga ana tjetër, Meksi dhe Zguro do të jenë krahët e mbrojtjes, ndërsa qendra do të formohet nga Sadriu dhe Randi që do të rikthehet si qendërmbrojtës. Në mesin e fushës duket se sërish nuk do të ketë vend për Marën, por do të jenë Taipi, Zhan Viktor dhe Dovuna që do të luajnë titullarë nga minuta e parë. Në sulm rikthehet Mensah dhe përkrah tij mendohet të luajnë Rahim si dhe njëri mes Berishës e Pusit në krahun tjetër.See the source image