Të gjithë prisnin largimin e tij, Rey Manaj thirret në ekipin e parë të Barcelonës

Sulmuesi shqiptar Rey Manaj është ftuar nga trajneri Ronald Koeman për ndeshjen e sotme miqësore kundër Nastic, klubit nga kategoria e tretë e futbollit spanjoll. Takimi i sotëm do të jetë i pari për Barcelonën e Koemanit në përgatitjet parasezonale dhe do të zhvillohet në orën 19:00 në Katalonjë.

Ndeshja do të zhvillohen me tifozë në stadiumin “Johan Cruyff”. Koeman e ka publikuar listën për këtë takim, e cila megjithatë mban emra shumë të panjohur për publikun. Në të mungon Lionel Messi, natyrisht, i cili është lojtar i lirë tani për tani, pasi marrëveshja me Barçën i mbaroi më 30 qershor.

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë Manaj, për të cilin flitet se do t’i bashkohet një klubi të ri gjatë kësaj vere, është ftuar për këtë takim nga ekipi B i Barcelonës. Manaj nuk është i vetmi nga ekipi B që ftohet për këtë takim, pasi Koeman nuk mund të llogarisë në shumë lojtarë të ekipit të parë e as në blerjet e reja. Ndeshjen e dytë përgatitore Barcelona do të zhvillojë kundër Gironas më 24 korrik.