Trajneri i Grasshopersit me koment epik për Abrashin: Shërohet shpejt se ka mish shqiptar

Dëmtimi në radhët e përfaqësueses shqiptare në ndeshjen ndaj Hungarisë për Amir Abrashin, ishte një lajm i keq jo vetëm për kuqezinjtë. Mesfushori është kapiteni i Grasshopers dhe lajmi se ka pësuar një dëmtim që do ta lërë jashtë fushës për një muaj, i ka prishur padyshim punë kësaj skuadre.

Por trajneri Xhiorxhio Kontini, mendon se Abrashi do të kthehet shumë më shpejt në fushë, pasi ka aftësi të rikuperohet shpejt. Ai e ka shprehur këtë besim të tijin me një batutë të çuditshme për mediat zvicerane. “Abrashi ka mish shqiptar, ai shërohet më shpejt”, ishin fjalët e teknikut të klubit të qytetit të Zyrihut.

Kështu, tani në klub shpresojnë që në vend të katër javëve të parashikuara për kthimin në tetor, Abrashi të jetë i gatshëm para fundit të këtij muaji, për të dhënë kontributin e tij në kampionat. Ky padyshim do të ishte një lajm i mirë edhe për trajnerin Reja, i cili shpreson ta ketë në dispozicion për ndeshjet vendimtare të muajit tetor.