Vllaznia në ‘infermieri’, dhimbje koke për Brdaric

Alarm te Vllaznia në prag të ndeshjes me Skënderbeun, që do të luhet të dielën në orën 13:00 në stadiumin e Korçës. Sikur të mos mjaftonte mungesa e sigurt e 4 titullarëve si Eni Imami, Aleksandar Isaevski, Demir Imeri dhe Herald Marku, një tjetër lojtar shumë i rëndësishëm për trajnerin Tomas Brdariç pritet të mos jetë në dispozicion.

Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Mevlan Adili, i cili ka pasur probleme në këmbë që nga ndeshja kundër Laçit, por më pas mungoi ndaj Apolonisë për shkak kartonësh. Ai ka munguar këto ditë në stërvitje dhe më tepër ka frekuentuar dhomën e terapisë, duke qenë nën kujdesin e pjesëtarit të stafit mjekësor, Ilirjan Haxhaja.

Adili ka shfaqur shqetësime ditët e fundit, duke mos u stërvitur dot me grupin dhe tashmë po vijon terapinë me shpresën se deri të dielën mund t’ia dalë. Megjithatë, kjo do të shikohet në ditët në vijim, pasi stafi nuk do që të rrezikojë me liderin e mbrojtjes, sepse një tjetër dëmtim mund ta mbante më tepër jashtë fushave.

Vlerat e Adilit dihen, por ajo që shqetëson edhe më tepër është se mbrojtja duhet ribërë, sepse krahas tij është e sigurt që në transfertë ndaj Skënderbeut mungojnë Imami e Isaevski. Kjo është hera e parë këtë kampionat që Vllaznia duhet të vuajë mungesën e 5 titullarëve dhe kësisoj do të ndryshojë gjysma e formacionit, me Brdariçin që ka edhe tri ditë në dispozicion, raporton PanoramaSport. Image result for vllaznia 2020

LËVIZJET – Në një situatë të tillë trajneri gjerman është i detyruar të rikompozojë formacionin, por alternativat nuk mungojnë. Krahu i majtë mbetet më i zbuluari, për vetë faktin se Imami dhe Isaevski nuk janë të gatshëm. Megjithatë, me Tomas Brdariç duke parë orën një mbrojtje me 4 lojtarë, gjasat janë që në krahun e djathtë të luajë Arsid Kruja, ndërsa në qendër Erdenis Gurishta dhe Dajan Shehi.

Në krahun e majtë mund të debutojë këtë sezon vlonjati Nertil Hoxhaj, i cili është i vetmi lojtar i mirëfilltë për këtë pozicion. Në mesin e fushës, krahas dyshes Ardit Krymi-Fjoart Jonuzi, këtë herë do të ketë vend edhe për malazezin Millosh Kaleziç.

Me skemën 4-3-3, Brdariç është disi më i qetë për sulmin, aty ku Ardit Hoxhaj dhe Viktor da Silva do të mbështesin boshnjakun Haris Dilaver. Gjithsesi, deri të dielën ka ende kohë dhe Brdariç do të shikojë edhe të tjera alternativa për të hedhur në fushë. Ndaj Skënderbeut do të kërkohet me patjetër fitorja, pasi çdo rezultat tjetër mund të ndikonte për keq, teksa rivalët do të kishin mundësi të afroheshin.Image result for vllaznia 2020