Xhaferi nuk ia ka frikën AEL Limasolit: Fitorja 1-0 do ishte optimale, në Shkodër nuk kemi frikën askujt

Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, u shpreh tejet optimist në prag të sfidës që shkodranët do të zhvillojnë ditën e nesërme në orën 19:00, në transfertë ndaj qipriotëve të AEL Limasol. Në një prononcim për mediat, Xhaferi ndër të tjera deklaroi: “Kemi pasur një udhëtim të mirë në orët e vona të natës, pak lodhje, por djemtë kanë pushuar dhe sot kemi ditën e stërvitjes. Skuadra është e përgatitur, grupi është i plotë, përveç Da Silvës, të gjithë janë të gatshëm për trajnerin Brdariç. Do të jetë një ndeshje që nuk duhet të nënvlerësuar absolutisht. Është një kundërshtar i fortë, me buxhet më të madh se ne, por ecim me idenë që të arrijmë një rezultat pozitiv. Një barazim do të ishte mëse i mirë, në mënyrë që të na lehtësohet puna në Shkodër.

Vazhdimisht jemi optimistë. Mundohemi që të jemi sa më shumë pozitivë, por duhet theksuar se nuk kemi të bëjmë me një skuadër si e kaluara, pavarësisht se ajo ishte e fortë, tani kemi të bëjmë me një skuadër që ka pothuajse se 3 fish më të madh buxhetin se Vllaznia. Është një skuadër që ka përvojë të madhe në Europë. Skemat e trajnerit duhet të jenë për t’iu përgjigjur sfidës në mënyrën më të mirë. Lojtarët janë në momente shumë pozitive. Shpresoj që të arrijmë një rezultat të mirë. Këtu është pak ngrohtë, ka pak lagështi, por do të përshtatemi. Orari i ri është më mirë, në orarin e parë, kishim edhe ne pengesat tona. Si për ne për ata të njëjtat kushte do të jenë. Prezenca e tifozëve të tyre është e lartë, rreth 75%, kjo do të jetë mbështetje për ekipin vendas, por ne jemi profesionistë.

Të gjithë opinioni dhe specialistët e kanë cilësuar AEL-in skuadre favorite. Duhet të luajmë si të barabartë. Sigurisht që jam i kënaqur në qoftë se barazojmë, do të ishte rezultat i mirë, në fushën tonë e treguam që jemi të fortë. Barazimi do të ishte i mirë, fitorja 1-0 do të ishte optimale. Edhe një rezultat ndryshe me një gol diferencë, nuk duhet të na demotivojë.  E rëndësishme është që ne fund të arrijmë kualifikimin. Dua t’i falënderoj shumë tifozët që kanë bërë përpjekjet maksimale për ta mbështetur skuadrën deri këtu. Nuk ka qenë e lehtë. Rregullat e UEFA-s nuk lejojnë udhëtimin e tifozëve. Dashamirësit i kemi përfshirë te pjesa e skuadrës, që skuadra ta ndjejë mbështetjen.

Të gjithë jemi të emocionuar dhe entuziazmuar. Do të ishte fantastike po të kapnim fazën e tretë. Vllaznia nuk e ka kaluar asnjëherë fazën e dytë. Do të ishte motivuese është në aspektin financiar. Nuk dua të bëj një parashikim, gjithsesi, çdo rezultati nuk duhet t’i trembemi. Në Shkodër ne jemi të fortë. Kemi mbështetjen e tifozërisë së zjarrtë. Nuk kemi frikë asnjë skuadër që luan në Shkodër, u shpreh Xhaferi.